---
title: "Depistimi për kancerin e gjirit, i bazuar në riskun individual – po aq efektiv sa depistimi i përvitshëm"
description: "Një studim i madh tregon se depistimi i personalizuar sipas riskut individual është po aq efektive sa rekomandimi vjetor për mamografi. Testimi gjenetik zbulon riskun individual për kancerin e gjirit."
author: "Dr. Kleida Mati"
date: 2025-12-13
category: "Kanceri i gjirit"
tags: ["Kancer gjiri", "Mamografia", "Screening", "Testimi gjenetik"]
url: https://www.kleidamati.al/blog/depistimi-per-kancerin-e-gjirit-i-bazuar-ne-riskun-individual-po-aq-efektiv-sa/
language: sq-AL
site: Dr. Kleida Mati
---

# Depistimi për kancerin e gjirit, i bazuar në riskun individual – po aq efektiv sa depistimi i përvitshëm

_Një studim i madh tregon se depistimi i personalizuar sipas riskut individual është po aq efektive sa rekomandimi vjetor për mamografi. Testimi gjenetik zbulon riskun individual për kancerin e gjirit._

Një studim i madh me më shumë se 45,000 gra tregoi se përcaktimi i shpeshtësisë së mamografisë bazuar në riskun individual për të zhvilluar kancer gjiri është po aq efektiv sa rekomandimi aktual vjetor “njësoj për të gjitha”.

Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë tek gratë. Aktualisht rekomandohet që gratë me risk mesatar për të zhvilluar sëmundjen, të kryejnë mamografi çdo vit që nga mosha 40 vjeç. Por prej vitesh, pyetja që si mjekët dhe pacientët shtrojnë është: *A duhet që të gjitha gratë të kontrollohen njësoj, apo duhet të përshtaten intervalet e kontrollit sipas rrezikut individual?*

Një [studim i madh](https://www.thewisdomstudy.org/resources/), me rreth 46,000 gra të moshës 40–74 vjeç, zbuloi se qasja e personalizuar, e bazuar në faktorët individualë të riskut, funksionon po aq mirë sa kontrolli vjetor standard në zbulimin e tumoreve.

## **Si funksionoi studimi?**

Studiuesit i ndanë gratë në mënyrë rastësore në dy grupe:

-   **14,212 gra** në grupin e kontrollit sipas riskut të tyre personal.
-   **14,160 gra** vazhduan me mamografi vjetore si zakonisht.

Një pjesë tjetër e pjesëmarrëseve që nuk pranuan të caktoheshin rastësisht zgjodhën vetë metodën e tyre të depistimit, 89% preferuan qasjen e bazuar në rrezik.

## **Si u vlerësua risku personal?**

Çdo grua që u përfshi në modelin e personalizuar iu nënshtrua një vlerësimi risku që përfshinte:

-   testim gjenetik (për mutacione në BRCA1/2 dhe gjene të tjera predispozuese),
-   moshën,
-   historinë personale dhe familjare shëndetësore,
-   stilin e jetesës,
-   densitetin e gjirit,
-   faktorë riprodhues si numri i fëmijëve dhe mosha e menarkes.

Në bazë të këtij vlerësimi, gratë u ndanë në katër kategori risku:

1.  **Risk shumë i ulët** – për të cilat u rekomandua fillimi i mamografisë në moshën 50 vjeç.
2.  **Risk mesatar (62% e grave)** – kontrolli me mamografi çdo 2 vjet, nga mosha 40 vjeç.
3.  **Risk i lartë (8%)** – kontroll çdo vit me mamografi, nga mosha 40 vjeç.
4.  **Rrezik shumë i lartë (2%)** – kontroll çdo 6 muaj, me alternim të mamografisë dhe rezonancës magnetike (MRI).

## **Çfarë treguan rezultatet?**

Studimi, i quajtur *WISDOM*, u publikua në *[JAMA](https://jamanetwork.com/journals/jama/fullarticle/2842903)* dhe u prezantua në [Simpoziumin e San Antonios për Kancerin e Gjirit.](https://sabcs.org/)

-   Depistimi i bazuar në riskun individual zbuloi po aq shumë tumore sa skema vjetore.
-   Surprizuese ishte fakti që u zbuluan më pak raste në fazë më të avancuar, por diferenca nuk ishte statistikisht e rëndësishme.
-   Megjithate, pavarësisht se disa gra bënë më pak mamografi, numri i biopsive mbeti po i njëjtë në të dy grupet.

## **Pse është i rëndësishëm testimi gjenetik?**

Studimi ofroi testim gjenetik për të gjitha gratë që u përfshinë në grupin me ndjekje të personalizuar, pavarësisht historisë familjare. Një gjetje e rëndësishme ishte se 30% e grave që rezultuan pozitive për mutacione që rrisin rrezikun për kancer gjiri, **nuk kishin histori familjare** të kancerit të gjirit.

Sipas protokolleve aktuale, këto gra ***nuk*** do të testoheshin për mutacione dhe rreziku i tyre do të mbetej i panjohur.

> Studimi na bën të reflektojmë se historia familjare nuk është mënyra e duhur për të vendosur se kush ka nevojë për më shumë kontroll për kancerin e gjirit.

---

**Shënim i rëndësishëm.** Ky artikull ka qëllim informues dhe edukativ. Nuk zëvendëson vizitën mjekësore dhe nuk duhet përdorur për të vendosur vetë mbi një trajtim. Çdo vendim për diagnostikimin ose trajtimin kërkon një vlerësim individual nga mjeku juaj.

Burimi: https://www.kleidamati.al/blog/depistimi-per-kancerin-e-gjirit-i-bazuar-ne-riskun-individual-po-aq-efektiv-sa/ — Dr. Kleida Mati, mjeke onkologe, Tiranë.
