---
title: "Efektet anësore nga trajtimi hormonal për kancer gjiri"
description: "Gratë nën trajtim hormonal për kancer gjiri, përjetojnë një sërë efektesh anësore që ndikojnë në cilësinë e jetës së tyre. Ndër efektet anësore më të shpeshta që shfaqen në fazat e para të trajtimit janë afshet e nxehta dhe simptoma të ngjashme me ato të menopauzës si tharje vaginale…"
author: "Dr. Kleida Mati"
date: 2023-06-23
updated: 2025-07-24
category: "Kanceri i gjirit"
tags: ["Exemestane", "Kanceri i gjirit", "Letrozole", "Tamoxifen", "Terapi endokrine"]
url: https://www.kleidamati.al/blog/efektet-anesore-nga-trajtimi-hormonal-per-kancer-gjiri/
language: sq-AL
site: Dr. Kleida Mati
---

# Efektet anësore nga trajtimi hormonal për kancer gjiri

_Gratë nën trajtim hormonal për kancer gjiri, përjetojnë një sërë efektesh anësore që ndikojnë në cilësinë e jetës së tyre. Ndër efektet anësore më të shpeshta që shfaqen në fazat e para të trajtimit janë afshet e nxehta dhe simptoma të ngjashme me ato të menopauzës si tharje vaginale…_

Gratë nën [trajtim hormonal](/blog/cila-eshte-kohezgjatja-optimale-e-terapise-endokrine-ne-kancerin-e-gjirit/) për kancer gjiri, përjetojnë një sërë efektesh anësore që ndikojnë në cilësinë e jetës së tyre.

Ndër efektet anësore më të shpeshta që shfaqen në fazat e para të trajtimit janë afshet e nxehta dhe simptoma të ngjashme me ato të menopauzës si tharje vaginale dhe çrregullim të humorit. Ka disa mënyra për të adresuar këto shqetësime, ndaj është e rëndësishme që mjeku dhe pacienti të kenë një qasje proaktive për parandalimin e tyre ose për menaxhimin e tyre kur efektet shfaqen.

Një tjetër efekt anësor që shfaqet më vonë, i lidhur me supresionin ovarian është ndikimi në [shëndetin e kocave](/blog/kancer-gjiri-risku-per-oestoporoze/) dhe sistemin kardiovaskular. Për këtë arsye rekomandohet ndjekja e pacienteve me densitometri kockore, si dhe rekomandohet suplementimi me vitaminë D, veçanërisht nëse rezulton mungesë në analizën e gjakut.

Një vëmendje e veçantë duhet kushtuar edhe sferës psikosociale, e cila jo vetëm që ndikon mirë-qenien e tyre të përditshme, por ndikon edhe rezultatet e trajtimit. Nëse gratë nuk po e tolerojnë mirë trajtimin, ose nuk janë mirë emocionalisht, kjo gjendje mund të ndikojë në mos marrjen siç duhet te mjekimit, e për rrjedhojnë do të ndikojë në rezultatet e trajtimit.

Ndaj është e rëndësishme të flitet për këto shqetësime me pacinetet nën trajtim hormonal adjuvant për kancer gjiri, në mënyrë që të maksimozohen efektet e trajtimit dhe përmirësohet cilësia e jetës.

## Shëndeti seksual në gratë nën trajtim hormonal për kancer gjiri

Për shumë gra nën trajtim hormonal për [kancerin e gjirit](/blog/kanceri-i-gjirit-stadi-i-hershem-trajtimi/), problemet e shëndetit seksual janë shumë të shprehura. Ndër shqetësimet kryesore mund të jenë rënia e libidos dhe tharja vaginale që shpesh shfaqen së bashku.

Gjithashtu, gratë shfaqin afshe të nxehti të cilat shpesh çojnë në pagjumësi e për rrjedhojë në lodhje e ndikim në shëndetin seksual.

Për tharjen vaginale zakonisht rekomandohen lubrifikantë, ndërsa për afshet e të nxehtit barna si venlafaxina dhe gabapentina. Përsa i përket rënies së libidos, është parë që aktiviteti fizik dhe këshillimi me psikolog mund të ndihmojë në përmirësim.

Është e rëndësishme që problematikat që shfaqin gratë në periudhën e terapisë endokrine për trajtimin e kancerit të gjirit të trajtohen me një qasje multifaktoriale, pasi shpesh efektet anësore janë një ndërlidhje e shqetësimeve fizike dhe atyre psikosociale.

---

**Shënim i rëndësishëm.** Ky artikull ka qëllim informues dhe edukativ. Nuk zëvendëson vizitën mjekësore dhe nuk duhet përdorur për të vendosur vetë mbi një trajtim. Çdo vendim për diagnostikimin ose trajtimin kërkon një vlerësim individual nga mjeku juaj.

Burimi: https://www.kleidamati.al/blog/efektet-anesore-nga-trajtimi-hormonal-per-kancer-gjiri/ — Dr. Kleida Mati, mjeke onkologe, Tiranë.
