---
title: "Kanceri ushqehet nga nutrientët që marrim me ushqimin. Atëherë pse nuk e kurojmë duke i hequr mundësinë e ushqyerjes?"
description: "Cila është lidhja ndërmjet kancerit dhe sheqerit? A e ushqen sheqeri kancerin? Përgjigja nga një onkologe"
author: "Dr. Kleida Mati"
date: 2022-08-29
updated: 2025-07-24
category: "Kanceri i gjirit"
tags: ["Kanceri", "sheqeri"]
url: https://www.kleidamati.al/blog/kanceri-dhe-sheqeri/
language: sq-AL
site: Dr. Kleida Mati
---

# Kanceri ushqehet nga nutrientët që marrim me ushqimin. Atëherë pse nuk e kurojmë duke i hequr mundësinë e ushqyerjes?

_Cila është lidhja ndërmjet kancerit dhe sheqerit? A e ushqen sheqeri kancerin? Përgjigja nga një onkologe_

Pacientët shpesh më pyesin “A e ushqen sheqeri kancerin?” ose më thonë “Nuk hamë asgjë që përmban sheqer se ushqejmë kancerin.”, “Po sikur ta heqim plotësisht sheqerin nga dieta, a do të vdesin urie qelizat tumorale?”. Fatkeqësisht, përgjigja është jo. Në të kundërt do kishte qenë shumë e thjeshtë të parandalonim dhe kuronim [kancerin](/blog/).

Sheqeri nuk është një substancë karcinogjene. Megjithatë, ngrënia e ushqimeve të përpunuara me sheqer të shtuar mund të kontribuojë në obezitet, i cili është një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e kancerit.

## Nga vjen teoria se sheqeri ushqen kancerin?

Shumica e qelizave malinje rriten me ritëm më të shpejtë se qelizat e shëndetshme, proces që kërkon edhe më shumë energji. Gjithashtu, është parë se metabolizmi i glukozës është i ndryshëm në qelizën tumorale, pikërisht për të plotësuar nevojën e qelizës tumorale për energji. Por kjo nuk do të thotë që qeliza malinje rritet më shpejt nëse hamë sheqer. Të gjitha ushqimet që hamë transformohen në glukozë dhe energji, të nevojshme për funksionimin e çdo qelize, jo vetëm asaj tumorale.

Dieta dhe stili i jetesës luajnë një rol thelbësor në parandalimin e kancerit, por kur një kancer është zhvilluar nuk mund t’ia lëmë në dorë zhdukjen e tij dietës dhe stilit të jetesës. Është e rëndësishme që në këtë pikë të merren trajtime standarde sipas protokollit të trajtimit për çdo lloj kanceri dhe dieta e stili i jetesës të luajnë një rol komplementar.

Shpesh dëgjoj pacientë të thonë se “kimioterapia është helm dhe unë jam duke helmuar qelizat e shëndetshme.”. Por mos harroni se mendja jonë është një mjet i fuqishëm që na ndikon edhe fizikisht. Nëse pacienti e shikon kimioterapinë si armik, nuk është bashkëpunues në trajtim, çka mund të ndikojë në përjetimin e efekteve anësore e si pasojë në vetë efektet e trajtimit. Kimioterapia dhe trajtimet e tjera për kancer duhet të shihen si bashkëpunëtorë për të luftuar sëmundjen. Kanceri është një armik i fortë, që asnjëherë nuk duhet nënvlerësuar.

* * *

-   [Venlafaxina si trajtim për simptomat vazomotore dhe distresin tek pacientet me kancer gjiri](https://medlink.al/2026/03/24/venlafaxina-si-trajtim-per-simptomat-vazomotore-dhe-distresin-tek-pacientet-me-kancer-gjiri/)
-   [Mitokondritë: trendi i ri i jetëgjatësisë apo një e vërtetë biologjike që kemi neglizhuar?](https://medlink.al/2026/02/21/mitokondrite-trendi-i-ri-i-jetegjatesise-apo-nje-e-vertete-biologjike-qe-kemi-neglizhuar/)
-   [Si ndikon diagnoza e kancerit në shëndetin seksual](/blog/si-ndikon-diagnoza-e-kancerit-ne-shendetin-seksual/)
-   [Në 2026, vendos si qëllim të bëhesh më i/e fortë](/blog/ne-2026-vendos-si-qellim-te-behesh-me-i-e-forte/)
-   [Të rejat që solli 2025 për trajtimin e kancerit](/blog/te-rejat-qe-solli-2025-per-trajtimin-e-kancerit/)
-   [Faktorët e riskut për kancerin e mushkërive: Jo vetëm duhani](/blog/faktoret-e-riskut-per-kancerin-e-mushkerive-jo-vetem-duhani/)

---

**Shënim i rëndësishëm.** Ky artikull ka qëllim informues dhe edukativ. Nuk zëvendëson vizitën mjekësore dhe nuk duhet përdorur për të vendosur vetë mbi një trajtim. Çdo vendim për diagnostikimin ose trajtimin kërkon një vlerësim individual nga mjeku juaj.

Burimi: https://www.kleidamati.al/blog/kanceri-dhe-sheqeri/ — Dr. Kleida Mati, mjeke onkologe, Tiranë.
