---
title: "Lu-PSMA – terapia me radioligand për kancerin e avancuar të prostatës"
description: "Një trajtim i ri për kancerin e avancuar të prostatës është aprovuar nga FDA në Mars të vitit 2022. Ky medikament, transporton një dozë të vogël rrezatimi të lidhur me një molekulë që lidhet specifikisht me qelizat e kancerit të prostatës. Terapia Lu-PSMA është e aprovuar për pacientët…"
author: "Dr. Kleida Mati"
date: 2022-11-02
updated: 2025-07-24
category: "Kancere të tjera"
tags: ["Kanceri prostate", "Lu-PSMA", "PSMA PET-CT", "Radioligand"]
url: https://www.kleidamati.al/blog/lu-psma-kancer-prostate-metastatik/
language: sq-AL
site: Dr. Kleida Mati
---

# Lu-PSMA – terapia me radioligand për kancerin e avancuar të prostatës

_Një trajtim i ri për kancerin e avancuar të prostatës është aprovuar nga FDA në Mars të vitit 2022. Ky medikament, transporton një dozë të vogël rrezatimi të lidhur me një molekulë që lidhet specifikisht me qelizat e kancerit të prostatës. Terapia Lu-PSMA është e aprovuar për pacientët…_

Një trajtim i ri për kancerin e avancuar të prostatës është aprovuar nga FDA në Mars të vitit 2022. Ky medikament, transporton një dozë të vogël rrezatimi të lidhur me një molekulë që lidhet specifikisht me qelizat e kancerit të prostatës.

Terapia Lu-PSMA është e aprovuar për pacientët me kancer prostate metastatik kastracion-rezistent, të cilët janë trajtuar me linja të tjera trajtimi si terapia anti-androgjenike dhe kimioterapi me bazë taksanesh. Kriteri tjetër që duhet të plotësojnë pacientët për të marrë këtë medikament është të kenë një [skaner PSMA PET](/blog/psma-pet-ct-kancer-prostate/) pozitiv.

## Si funksionon Lu-PSMA?

Lu-PSMA lidhet me targetin e tij, PSMA-në që gjendet në qelizat e kancerit të prostatës. PSMA është një proteinë që gjendet thuajse në të gjitha qelizat e kancerit të prostatës dhe mungon në qelizat e indit normal. Molekula e PSMA lidhet me një ngarkesë radioaktive të quajtur lutetium-177. Kur Lu-PSMA lidhet me targetin në qelizën tumorale, ngarkesa radioaktive eliminon qelizën tumorale, pa ndikuar në qelizat e shëndetshme.

Aprovimi i kësaj terapie është bazuar në [studimin ndërkombëtar të fazës 3, VISION](https://www.nejm.org/doi/full/10.1056/nejmoa2107322), i cili tregoi se trajtimi me Lu-PSMA zgjat jetën e pacientëve më kancer të avancuar prostate, redukton progreisn e sëmundjes dhe ruan një cilësi të mirë të jetës.

Studime të tjera janë duke u kryer për të vlerësuar efektin e Lu-PSMA në stade më të hershme të kancerit të prostatës dhe në kombinim me trajtime të tjera, si imunoterapia.

## Kush mund të trajtohet me Lu-PSMA?

Lu-PSMA është e parovuar për përdorim në tumoret PSMA-pozitive, cke e bën një lloj trajtimit preciz. Pozitiviteti i tumorit për PSMA konfirmohet me anë të [skanerit PSMA PET](/blog/psma-pet-ct-kancer-prostate/), i cili është aprovuar në vitin 2020.

Aktualisht, janë dy lloje PSMA PET skaner të aprovuar nga FDA. Njëri prej tyre përdor gallium-68-PSMA-11 (Locametz® dhe Illuccix®) dhe llojji tjetër përdor piflufolastat F 18 (PYLARIFY®). Sipas aprovimit të FDA, pacientët duhet të kenë pozitiv skanerin me gallium-68-PSMA-11 për t\`u kualifikuar për trajtim me Lu-PSMA.

---

**Shënim i rëndësishëm.** Ky artikull ka qëllim informues dhe edukativ. Nuk zëvendëson vizitën mjekësore dhe nuk duhet përdorur për të vendosur vetë mbi një trajtim. Çdo vendim për diagnostikimin ose trajtimin kërkon një vlerësim individual nga mjeku juaj.

Burimi: https://www.kleidamati.al/blog/lu-psma-kancer-prostate-metastatik/ — Dr. Kleida Mati, mjeke onkologe, Tiranë.
