---
title: "Mezotelioma pleurale tek pacientët e rinj"
description: "Mesothelioma pleurale tani është e pranishme edhe tek të rinjtë pa histori ekspozimi ndaj asbestit. Studimet tregojnë se mekanizmat gjenetikë ndryshojnë nga pacientët e moshuar dhe kanë histori familjare kanceri."
author: "Dr. Kleida Mati"
date: 2026-03-25
category: "Kancere të tjera"
tags: ["Mezotelioma"]
url: https://www.kleidamati.al/blog/mezotelioma-pleurale-tek-pacientet-e-rinj/
language: sq-AL
site: Dr. Kleida Mati
---

# Mezotelioma pleurale tek pacientët e rinj

_Mesothelioma pleurale tani është e pranishme edhe tek të rinjtë pa histori ekspozimi ndaj asbestit. Studimet tregojnë se mekanizmat gjenetikë ndryshojnë nga pacientët e moshuar dhe kanë histori familjare kanceri._

[Mezotelioma pleurale](/blog/mezotelioma-pleurale-azbesti/) është tradicionalisht konsideruar një sëmundje e meshkujve të moshuar me histori ekspozimi ndaj asbestit. Megjithatë, të dhënat e reja sugjerojnë se kjo paradigmë nuk është gjithmonë e saktë. Një studim i publikuar në *[JCO Precision Oncology](https://ascopubs.org/doi/full/10.1200/PO-25-01171?bid=602249807&md5=4a2018644e68cae820d18b1310223501&cid=DM28135)* analizon karakteristikat klinike dhe gjenomike të mesotheliomës pleurale tek pacientët e rinj dhe shumë të rinj, duke treguar se kjo sëmundje mund të shfaqet edhe në mungesë të faktorëve klasikë të rrezikut.

## Një profil ndryshe nga ai i pacientit klasik

Në analizën retrospektive të realizuar në Memorial Sloan Kettering Cancer Center u identifikuan 273 pacientë me mesothelioma pleurale të diagnostikuar në moshën ≤50 vjeç, nga të cilët 50 pacientë ishin ≤35 vjeç.

Rezultatet treguan disa dallime të rëndësishme nga popullata klasike e mezoteliomës:

-   **39% e pacientëve ishin gra**, një përqindje dukshëm më e lartë se në popullatat tipike të kësaj sëmundjeje.
-   Vetëm **40% kishin histori të njohur ekspozimi ndaj asbestit**, shumë më pak se në pacientët më të moshuar.
-   **70% kishin histori familjare kanceri**, më shpesh kancer gjiri, mushkërie ose koloni.

Këto të dhëna sugjerojnë se tek pacientët e rinj mund të ekzistojnë mekanizma të tjerë biologjikë ose gjenetikë që kontribuojnë në zhvillimin e sëmundjes.

## Si paraqiten klinikisht pacientët e rinj?

Simptomat më të shpeshta në momentin e diagnozës ishin:

-   dhimbje ose diskomfort torakal (55%)
-   dispne (53%)
-   kollë (30%)

Në rreth 72% të rasteve kishte prezent efuzion pleural gjatë vlerësimit fillestar. Diagnostikimi rastësor ishte relativisht i rrallë (rreth 5%). Kjo tregon se prezantimi klinik mbetet relativisht tipik edhe në moshat më të reja.

## Profili gjenomik i mesotheliomës në të rinj

Analiza molekulare tregoi se mutacionet më të shpeshta tek pacientët e rinj përfshinin:

-   BAP1 (47%)
-   NF2 (38%)
-   CDKN2A/B (25%)
-   TP53 (21%)

Megjithatë, disa veçori dallojnë këtë grup pacientësh nga popullata më e vjetër:

-   frekuencë më e ulët e delecioneve CDKN2A
-   ngarkesë mutacionale tumorale më i ulët tek pacientët ≤35 vjeç
-   më pak mutacione në BAP1 tek shumë të rinjtë

Studimi raportoi gjithashtu për herë të parë alterime në gjenin CIC në një nëngrup të pacientëve, një gjen i lidhur më parë me tumore të tjera si oligodendrogliomat dhe disa sarkoma.

## Roli i mutacioneve germinale

Një pjesë e pacientëve kishte mutacione germinale, kryesisht në:

-   BAP1
-   MSH6
-   APC

Interesant është fakti se [mutacionet germinale](https://www.genoma.al/trashigimia) u identifikuan vetëm tek pacientët 36-50 vjeç dhe jo tek ata ≤35 vjeç, duke sugjeruar mekanizma të ndryshëm biologjikë në dy grupmoshat.

## Mbijetesa

Mbijetesa mediane në këtë kohort ishte:

-   22 muaj për të gjithë pacientët
-   34 muaj për pacientët e diagnostikuar pas vitit 2004, periudha kur pemetrexed u bë terapi standarde.

Mutacionet në **NF2 dhe CDKN2A** u shoqëruan me prognozë më të keqe.

## Çfarë duhet të mësojnë klinicistët nga ky studim

Mesazhi kryesor i studimit është se mezotelioma pleurale nuk duhet të konsiderohet ekskluzivisht një sëmundje e pacientëve të moshuar me ekspozim ndaj asbestit.

Tek pacientët e rinj:

-   ekspozimi ndaj asbestit është më pak i shpeshtë
-   historia familjare e kancerit është e zakonshme
-   biologjia molekulare mund të jetë e ndryshme

Prandaj, në rastet e pacientëve të rinj me **efuzion pleural të pashpjeguar, dispne ose dhimbje torakale**, mezotelioma duhet të mbetet një diagnozë e mundshme edhe në mungesë të ekspozimit ndaj asbestit.

---

**Shënim i rëndësishëm.** Ky artikull ka qëllim informues dhe edukativ. Nuk zëvendëson vizitën mjekësore dhe nuk duhet përdorur për të vendosur vetë mbi një trajtim. Çdo vendim për diagnostikimin ose trajtimin kërkon një vlerësim individual nga mjeku juaj.

Burimi: https://www.kleidamati.al/blog/mezotelioma-pleurale-tek-pacientet-e-rinj/ — Dr. Kleida Mati, mjeke onkologe, Tiranë.
