---
title: "Kanceri: Mitet më të shpeshta dhe faktet"
description: "Kanceri është një sëmundje që ngjallë ende shumë frikë, për këtë arsye shpesh kemi tendencën të besojmë teori të ndryshme mbi shkakun e zhvillimit të tij, por që shpesh janë thjesht teori, të pavërtetuara me studime serioze. Më poshtë do të gjeni disa nga mitet më të shpeshta mbi…"
author: "Dr. Kleida Mati"
date: 2022-07-19
updated: 2025-07-24
category: "Kanceri i gjirit"
tags: ["Kanceri", "Mitet mbi kancerin", "Onkologjia"]
url: https://www.kleidamati.al/blog/mitet-me-te-shpeshta-dhe-faktet-mbi-kancerin/
language: sq-AL
site: Dr. Kleida Mati
---

# Kanceri: Mitet më të shpeshta dhe faktet

_Kanceri është një sëmundje që ngjallë ende shumë frikë, për këtë arsye shpesh kemi tendencën të besojmë teori të ndryshme mbi shkakun e zhvillimit të tij, por që shpesh janë thjesht teori, të pavërtetuara me studime serioze. Më poshtë do të gjeni disa nga mitet më të shpeshta mbi…_

Kanceri është një sëmundje që ngjallë ende shumë frikë, për këtë arsye shpesh kemi tendencën të besojmë teori të ndryshme mbi shkakun e zhvillimit të tij, por që shpesh janë thjesht teori, të pavërtetuara me studime serioze.

Më poshtë do të gjeni disa nga mitet më të shpeshta mbi kancerin dhe faktet e lidhura me të.

## Nuk diagnostikohesh me kancer nëse nuk ke dikë në familje me kancer.

MIT

Gjysma e burrave dhe cereku e grave në botë do të diagnostikohen me kancer përgjatë jetës së tyre. Vetëm 5-10% e këtyre rasteve janë të lidhura me mutacione gjenetike të trashëguara. Edhe pse historia familjare luan një rol, kanceri nuk shkaktohet vetëm për shkak të saj.

## Mishi i përpunuar (sallam, salsice, proshuta etj.) shkakton kancer.

FAKT

Personat të cilët hanë shumë mish të përpunuar kanë më shumë gjasa të zhvillojnë kancer të zorrës së trashë. Lidhja mes tyre nuk është shumë e qartë por me shumë mundësi ka të bëjë me përmbatjen e nitriteve – kimikate të cilat i shtohen ushqimeve për të larguar bakteret dhe ruajtur ngjyrën.

Nga ana tjetër të dhënat për mishin e kuq janë kontroverse. Por, ngrënia e mishit të kuq në sasi të moderuar konsiderohet e sigurt. Për burim më të sigurt proteinash mund të hani mish pule, peshk ose fasule.

## Alkooli rrit riskun për zhvillim të kancerit.

FAKT

Alkooli rrit riskun përzhvillim të kancerit të gojës, mëlcisë, zorrës, gjirit etj. Nuk ka rëndësi nëse porosisni birrë, verë, vodka ose liker, rëndësi ka sa porosisni. Sa më shumë pini, aq më i lartë risku për kancer. Nëse alkooli është tashmë pjesë e jetës tuaj, mos pini më shumë se 2 pije për burrat dhe 1 pije për gratë.

## Ëmbëlsuesit artificialë shkaktojnë kancer.

MIT

Nuk ka studime që të mbështesinë se aspartame, sakarina ose sukraloza të shkaktojnë kancer në njerëz. Edhe zëvendësuesit e rinj të sheqerit si sorbitoli, stevia dhe agave duken të sigurt.

## Anti-djersa shkakton kancer gjiri.

MIT

Sipas [Shoqatës Amerikane të Kancerit](https://www.cancer.org/) nuk ka lidhje ndërmjet përdorimit të anti-djersës dhe [kancerit të gjirit](/blog/parandalimi-i-kanceri-i-gjirit-ne-grate-me-risk-te-larte/), as në rastin e anti-perspirantëve dhe as në rastin e deodorantëve. Ndaj, shijojeni verën pa djersë.

## Për shumicën e llojeve të kancerit, biopsia shkakton përhapje të sëmundjes.

MIT

Biopsia është një ekzaminim shumë i rëndësishëm për përcaktimin e llojit të tumorit dhe mbi të gjitha përcaktimin e trajtimit. Gjatë kësaj procedure merret një mostër e vogël nga masa tumorale dhe shihet nën mikroskop. Në shumicën e llojeve të kancerit, kjo është një procedurë plotësisht e sigurt dhe e domosdoshme.

## Aktiviteti fizik redukton riskun për kancer.

FAKT

Ashtu si ushqyerja e shëndetshme edhe aktiviteti fizik redukton riskun për kancer, vecanërsisht për [kancer gjiri](/blog/parandalimi-i-kancerit-te-girit-ne-grate-me-risk-te-larte/) dhe [kancer të zorrës së trashë](/blog/kanceri-kolorektal-i-moshave-te-reja-shqetesim-i-ri-per-onkologet/) dhe [kancer ovari](/blog/kanceri-i-ovarit-shkaqet-simptomat-dhe-parandalimi/). Megjithatë, edhe nëse jeni aktiv, duhet të kryeni ekzaminimet rutinë të rekomanduara nga mjeku.

---

**Shënim i rëndësishëm.** Ky artikull ka qëllim informues dhe edukativ. Nuk zëvendëson vizitën mjekësore dhe nuk duhet përdorur për të vendosur vetë mbi një trajtim. Çdo vendim për diagnostikimin ose trajtimin kërkon një vlerësim individual nga mjeku juaj.

Burimi: https://www.kleidamati.al/blog/mitet-me-te-shpeshta-dhe-faktet-mbi-kancerin/ — Dr. Kleida Mati, mjeke onkologe, Tiranë.
