---
title: "Relacorilant: një terapi e re e aprovuar nga FDA për kancerin ovarit rezistent ndaj platineve"
description: "Në mars 2026, FDA miratoi relacorilantin me nab-paclitaxel për pacientët me kancer ovari rezistent ndaj platineve, duke përmirësuar mbijetesën dhe ofruar një mekanizëm të ri terapeutik."
author: "Dr. Kleida Mati"
date: 2026-03-26
category: "Kancere të tjera"
tags: ["Kancer ovari", "Relacorilant"]
url: https://www.kleidamati.al/blog/relacorilant-nje-terapi-e-re-e-aprovuar-nga-fda-per-kancerin-ovarit-rezistent/
language: sq-AL
site: Dr. Kleida Mati
---

# Relacorilant: një terapi e re e aprovuar nga FDA për kancerin ovarit rezistent ndaj platineve

_Në mars 2026, FDA miratoi relacorilantin me nab-paclitaxel për pacientët me kancer ovari rezistent ndaj platineve, duke përmirësuar mbijetesën dhe ofruar një mekanizëm të ri terapeutik._

Në mars 2026, U.S. Food and Drug Administration (FDA) miratoi një trajtim të ri për pacientet me kancer ovari rezistent ndaj platineve: kombinimin e relacorilant (Lifyorli) me nab-paclitaxel. Ky vendim bazohet në rezultatet e studimit të fazës III ROSELLA, i cili tregoi përmirësim të mbijetesës pa progres dhe mbijetesës së përgjithshme tek pacientet që kishin marrë trajtime të mëparshme, përfshirë bevacizumab.

Ky zhvillim është i rëndësishëm për praktikën klinike, pasi pacientet me këtë formë të sëmundjes kanë zakonisht opsione të kufizuara trajtimi dhe prognozë të varfër.

## Çfarë është relacorilant dhe pse është i rëndësishëm?

Relacorilant është një antagonist selektiv i receptorit të glukokortikoideve, një mekanizëm relativisht i ri në onkologji.

Në kancerin e ovarit, sinjalizimi i receptorit të glukokortikoideve dhe nivelet e larta të kortizolit mund të:

-   rrisin shprehjen e proteinave anti-apoptotike
-   ulin ndjeshmërinë e tumorit ndaj kimioterapisë
-   lidhen me prognozë më të keqe për pacientët

Duke bllokuar këtë receptor, relacorilant mund të rrisë ndjeshmërinë e qelizave tumorale ndaj taksanëve, duke përmirësuar efektin e kimioterapisë.

Ky është një koncept terapeutik interesant: jo një citotoksik i ri, por modifikim i mikro-mjedisit të tumorit për të rritur efektin e trajtimit ekzistues.

## Studimi ROSELLA: dizajni dhe pacientët

Evidenca kryesore që çoi në aprovimin e FDA vjen nga studimi [ROSELLA (GOG-3073 / ENGOT-ov72)](https://www.thelancet.com/journals/lancet/article/PIIS0140-6736\(25\)01040-2/fulltext), një studim fazë III, i randomizuar dhe multicentrik, i realizuar në 117 qendra në 14 vende. Studimi përfshiu **381 paciente** me: kancer ovari epitelial, kancer të tubave fallopian dhe kancer primar peritoneal.

***Të gjitha pacientet kishin:***

-   sëmundje rezistente ndaj platineve
-   1–3 linja trajtimi të mëparshme
-   trajtim të mëparshëm me bevacizumab

***Pacientet u randomizuan në dy grupe:***

-   Grupi i parë u trajtua me kombinimin relacorilant + nab-paclitaxel.
-   Grupi i dytë (kontrolli) u trajtua vetëm me nab-paclitaxel

***Qëllimet kryesore të studimit ishin vlerësimi i:***

-   mbijetesës së lirë pa progres (PFS)
-   Mbijetesës së përgjithshme (OS)

## Rezultatet kryesore të studimit

Studimi tregoi përmirësime statistikisht dhe klinikisht domethënëse.

**PFS:**

-   6.5 muaj me relacorilant + nab-paclitaxel
-   5.5 muaj me nab-paclitaxel vetëm

HR = 0.70 (p = 0.0076)

**OS**

-   16 muaj me kombinimin
-   11.9 muaj me monoterapi

HR = 0.65 (p = 0.0004)

Pra, kombinimi ofroi një përfitim absolut prej rreth 4 muajsh në mbijetesën totale, një rezultat i rëndësishëm për këtë popullatë pacientësh me prognozë të kufizuar. Në analizën e ndërmjetme të studimit ROSELLA, 60% e pacientëve në grupin e kombinimit ishin gjallë pas 12 muajsh, krahasuar me 49% në grupin e kontrollit.

## Siguria dhe efektet anësore

Efektet anësore më të shpeshta të kombinimit përfshinin: neutropeni, anemi, lodhje, nauze, diarre, trombocitopeni, rash dhe ulje të oreksit.

Shumica e këtyre efekteve lidhen kryesisht me toksicitetin e taksanëve dhe janë të njohura në praktikën klinike.

Megjithatë, FDA paralajmëron për disa rreziqe specifike:

-   neutropeni dhe infeksione të rënda
-   insuficiencë adrenale
-   përkeqësim të sëmundjeve që trajtohen me kortikosteroide
-   toksicitet embrio-fetal

Për këtë arsye, pacientët që kanë nevojë për kortikosteroide për indikacione jetike nuk duhet ta marrin këtë trajtim.

### Skema e administrimit

Regjimi i rekomanduar është:

-   **Relacorilant**: 150 mg oral, një ditë para + ditën e infuzionit + një ditë pas nab-paclitaxel.
-   **Nab-paclitaxel**: 80 mg/m² IV, ditët 1, 8 dhe 1, cikël 28-ditor.

Trajtimi vazhdon deri në progres të sëmundjes ose toksicitet të patolerueshëm.

## Çfarë do të thotë kjo për praktikën klinike?

Kanceri i ovarit rezistent ndaj platineve mbetet një nga sfidat në trajtimin e kësaj sëmundjeje.

Miratimi i relacorilant përfaqëson disa zhvillime të rëndësishme:

1.  **Një mekanizëm i ri terapeutik** – modulim i receptorit të glukokortikoideve.
2.  **Përmirësim real i mbijetesës**
3.  **Potencial për kombinime të ardhshme**, për shembull me bevacizumab.

Studimet e ardhshme do të vlerësojnë:

-   përdorimin e relacorilant në tumore të tjera solide
-   kombinime me terapi të tjera biologjike
-   ndikimin e përdorimit të kortikosteroideve në efektivitetin e kimioterapisë.

---

**Shënim i rëndësishëm.** Ky artikull ka qëllim informues dhe edukativ. Nuk zëvendëson vizitën mjekësore dhe nuk duhet përdorur për të vendosur vetë mbi një trajtim. Çdo vendim për diagnostikimin ose trajtimin kërkon një vlerësim individual nga mjeku juaj.

Burimi: https://www.kleidamati.al/blog/relacorilant-nje-terapi-e-re-e-aprovuar-nga-fda-per-kancerin-ovarit-rezistent/ — Dr. Kleida Mati, mjeke onkologe, Tiranë.
