---
title: "Shmangia e radioterapisë në kancerin e rektit – Studimi PROSPECT"
description: "Shumë pacientë me kancer rekti lokalisht të avancuar mund të shmangin radioterapinë dhe të trajtohen vetëm me kimioterapi dhe kirurgji. Të dhënat vijnë nga studimi PROSPECT i prezantuar në ASCO 2023. Këto të dhëna janë shumë të rëndësishme për disa arsye. E para, tregojnë për mundësinë…"
author: "Dr. Kleida Mati"
date: 2023-06-28
updated: 2025-07-24
category: "Kanceri kolorektal"
tags: ["Kancer kolorektal", "Kancer rekti", "Kimioterapi", "radioterapi"]
url: https://www.kleidamati.al/blog/shmangia-e-radioterapise-ne-kancerin-e-rektit-studimi-prospect/
language: sq-AL
site: Dr. Kleida Mati
---

# Shmangia e radioterapisë në kancerin e rektit – Studimi PROSPECT

_Shumë pacientë me kancer rekti lokalisht të avancuar mund të shmangin radioterapinë dhe të trajtohen vetëm me kimioterapi dhe kirurgji. Të dhënat vijnë nga studimi PROSPECT i prezantuar në ASCO 2023. Këto të dhëna janë shumë të rëndësishme për disa arsye. E para, tregojnë për mundësinë…_

Shumë pacientë me kancer rekti lokalisht të avancuar mund të shmangin radioterapinë dhe të trajtohen vetëm me kimioterapi dhe kirurgji. Të dhënat vijnë nga studimi PROSPECT i prezantuar në ASCO 2023.

Këto të dhëna janë shumë të rëndësishme për disa arsye. E para, tregojnë për mundësinë e trajtimit kurativ të kancerit të rektit lokalisht të avancuar edhe në struktura ose vende ku nuk ka akses ndaj radioterapisë dhe së dyti, me nurmin e rritur të pacientëve me moshë të rë, jep mundësinë e ruajtjes së fertilitetit. Por mbi të gjitha, me shmangien e radioterapisë pa kompromentuar efikasitetin e trajtimit, pacientët përfitojnë një cilësi më të mirë të jetës me më pak efekte anësore.

## Si trajtohet aktualisht kanceri i rektit lokalisht i avancuar?

Sipas protokolleve të trajtimit, aktualisht kanceri rektal lokalisht i avancuar trajtohet me radioterapi shoqëruar me kimioterapi sensitizuese me fluoropirimidina, pasuar me kirurgjinë dhe më pas me rreth 16 javë kimioterapi adjuvante.

Efektet e trajtimit janë të mira, por trajtimi është i gjatë dhe me efekte anësore shpesh të lidhura me rrezatimin, si çrregullime të lidhura me traktin intestinal dhe urinar, disfunksion seksual, infertilitet dhe menopauzë e hershme.

Infertiliteti dhe menopauza po kthehen në efekte anësore të rëndësishme, pasi në vitet e fundit më shumë [pacientë nën 50 vje](/blog/kanceri-kolorektal-i-moshave-te-reja-shqetesim-i-ri-per-onkologet/)ç po diagnostikohen me kancer kolorektal.

## Studimi PROSPECT

Studimi përfshiu 1128 pacientë me kancer rekti, të stadifikuar klinikisht si T2N+, T3N-, T3N+, por jo T4. Ata u ndanë në dy grupe, ku njëri grup u trajtua me kimioterapi dhe grupi tjetër me standardin e trajtimit, pra radioterapi + kimioterapi. Pas trajtimit, të gjithë pacientët iu nënshtruan kirurgjisë.

Në grupin e trajtuar me radioterapi + kimioterapi, doza e rrezatimit ishte 50.4 Gy në 28 fraksione shoqëruar me kimioterapi sensitizuese me 5-FU ose capecitabine.

Në grupin e trajtuar vetëm me kimioterapi, skema e përdorur ishte ajo mFOLFOX6 (oxaliplatin, Leucovorin, 5-FU).

Trajtimi pas operacionit me kimioterapi u rekomandua në të dy grupet e pacientëve, por nuk ishte i detyrueshëm.

Pas një periudhe ndjekjeje prej 58 muajsh, u pa se trajtimi me kimioterapi (KT) nuk ishte inferior ndaj trajtimit te kombinuar radioterapi + kimioterapi (KT+RT). Periudha e lirë nga sëmundja (DFS) në 5 vjet, në grupin e kimioterapisë u arrit në 80.8% të pacientëve krahasuar me 78.6% të pacientëve të trajtuar me KT+RT. Rekurrencat lokale deri në 5 vite nga trajtimi ndodhën në 1.8% të pacientëve të trajtuar me KT dhe në 1.6% të pacientëve të trajtuar me KT+RT.

12 muaj nga kirurgjia, pacientët e trajtuar me KT kishin më pak lodhje, neuropati dhe funksion më të mirë seksual, krahasuar me grupin e KT+RT.

> Të dhënat nga studimi PROSPECT tregojnë se radioterapia mund të rekomandohet në mënyrë më selektive, pa kompromentuar efektet e trajtimit, në pacientët me kancer rekti lokalisht të avancuar me risk mesatar.

[Studimi i plotë](https://www.nejm.org/doi/10.1056/NEJMoa2303269) është publikuar në Qershor 2023 në *The New England Journal of Medicine*.

---

**Shënim i rëndësishëm.** Ky artikull ka qëllim informues dhe edukativ. Nuk zëvendëson vizitën mjekësore dhe nuk duhet përdorur për të vendosur vetë mbi një trajtim. Çdo vendim për diagnostikimin ose trajtimin kërkon një vlerësim individual nga mjeku juaj.

Burimi: https://www.kleidamati.al/blog/shmangia-e-radioterapise-ne-kancerin-e-rektit-studimi-prospect/ — Dr. Kleida Mati, mjeke onkologe, Tiranë.
