---
title: "Si klasifikohen nodujt e tiroides në citologji?"
description: "Nodujt e tiroides janë një problem i zakonshëm klinik. Është e rëndësishme të dallohen noduset beninje nga ato malinje, pra ato që kanë risk të lartë për shëndetin dhe ata që janë deri diku të parrezikshëm. Ndërmjet ekzaminimit klinik, imazherik dhe citologjik mund të përcaktohet…"
author: "Dr. Kleida Mati"
date: 2023-01-27
updated: 2025-07-24
category: "Kancere të tjera"
tags: ["folikulare"]
url: https://www.kleidamati.al/blog/si-klasifikohen-nodujt-e-tiroides-ne-citologji/
language: sq-AL
site: Dr. Kleida Mati
---

# Si klasifikohen nodujt e tiroides në citologji?

_Nodujt e tiroides janë një problem i zakonshëm klinik. Është e rëndësishme të dallohen noduset beninje nga ato malinje, pra ato që kanë risk të lartë për shëndetin dhe ata që janë deri diku të parrezikshëm. Ndërmjet ekzaminimit klinik, imazherik dhe citologjik mund të përcaktohet…_

Nodujt e tiroides janë një problem i zakonshëm klinik. Është e rëndësishme të dallohen noduset beninje nga ato malinje, pra ato që kanë risk të lartë për shëndetin dhe ata që janë deri diku të parrezikshëm. Ndërmjet ekzaminimit klinik, imazherik dhe citologjik mund të përcaktohet shkalla e problematikës së nodujve. [Citologjia e tiroides](https://medlink.al/2023/01/25/citologjia-e-tiroides-kur-dhe-si/) (FNA) përdoret si një teknikë diagnostikuese e thjeshtë dhe me kosto efektive për klasifikimin fillestar të pacientëve me noduj. Nëse noduli  plotëson kriteret për tu ekzaminuar me FNA (citologji, ago-aspirat), materiali i  marrë me anë të proçedurës dërgohet në laborator për tu vlerësuar nga specialisti.

Për të arritur standardizimin nga raportimet e FNA të tiroides, në vitin 2007, Instituti Kombëtar i Kancerit (NCI) propozoi një sistem me 6 (gjashtë) nivele dhe e quajti [Sistemi Bethesda](https://pubmed.ncbi.nlm.nih.gov/29091573/) për Raportimin e Citopatologjisë së Tiroides (TBSRTC).

Sistemi Bethesda krijoi një sistem raportimi të standardizuar, të bazuar në kategori për mostrat e aspirimit me gjilpërë të imët të tiroides (FNA). Rishikimi i vitit 2017 ripohon se çdo raport i FNA i tiroides duhet të fillojë me një nga gjashtë kategoritë diagnostike. Çdo kategori ka një rrezik të nënkuptuar të kancerit që varion nga 0% në 3% për kategorinë “beninje” në pothuajse 100% për kategorinë “malinje”.

## Klasifikimi Bethesda

I. Jo diagnostikues ose i pakënaqshëm

Materiali nuk ka mjaftueshëm qeliza tiroide për të dhënë një diagnozë. Kjo mund të ndodhë kur një kist aspirohet ose kur mostra është pothuajse tërësisht i përbërë nga gjaku. Kjo përbën 10 për qind të FNA, edhe në duart më me përvojë. Në përgjithësi nevojitet një citologji e përsëritur disa javë pas të parës.

II. Beninje

Në këtë kategori, mostra ishte e  mjaftueshme dhe përfaqësuese. Klasifikohen nodujt beninj. Diagnozat që bëjnë pjesë në këtë kategori përfshijnë nodujt folikulare beninje, tiroiditin limfocitar (Hashimoto) dhe tiroiditin granulomatoz (subakut). Këto diagnoza zakonisht nuk kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale. Rreziku i kancerit në këtë kategori është 0 deri në 3%.

III. Atipia me rëndësi të papërcaktuar ose lezion folikular me rëndësi të pacaktuar

Biopsitë e kësaj kategorie janë mostra përfaqësuese, por tiparet që shihen në citologji nuk janë diagnostike as për një proces beninj, as për një tumor. Rekomandimi i përgjithshëm është të përsëritet pas 6 javësh. Rreziku i malinjitetit në këtë kategori është në intervalin 5 deri në 15%.

IV. Neoplazi folikulare ose e dyshimtë për një neoplazi folikulare

Nodujt e kësaj kategorie janë tumore. Shumica e tyre do të rezultojnë të jenë adenoma folikulare të cilat janë beninje. Megjithatë, FNA nuk mund të bëjë dallimin midis tumoreve beninje dhe malinje. Rreziku i zhvillimit malinj është 15 deri në 30%.

V. E dyshimtë për Malinjitet

Nodujt e kësaj kategorie janë shumë të dyshimta për malinje, por citopatologu nuk i sheh të gjitha tiparet e nevojshme për të vendosur një diagnozë përfundimtare. Për shkak të rrezikut të lartë të malinjitetit, rekomandimi i përgjithshëm është heqja e të gjithë tiroides. Rreziku i zhvillimit malinj është 60-75%.

VI. Malinje

Pacienti me noduj të kësaj kategorie duhet t’i nënshtrohet heqjes së të gjithë tiroides. Rreziku i kancerit është 97-99%.

> FNA është një proçedurë e rekomanduar, sidomos në përcaktimin e shkallës së rrezikut të nodujve. Ndërmjet sistemit Bethesda ky përcaktim është thjeshtuar dhe njëtrajtësuar kudo në botë. Sigurisht diagnoza e nodujve dhe vendimet mjekësore bazohen në më shumë se një kriter por citologjia na çon një hap më para në diagnozë.

* * *

Autor

Dr Adela Haxhiraj

-   [BREAKWATER: terapia e targetuar hyn në linjën e parë të kancerit kolorektal metastatik me mutacion BRAF V600E](https://medlink.al/2026/08/26/breakwater-terapia-e-targetuar-hyn-ne-linjen-e-pare-te-kancerit-kolorektal-metastatik-me-mutacion-braf-v600e/)
-   [Një vaksinë për çdo pacient – A do të jetë kjo e ardhmja e trajtimit të kancerit?](/blog/nje-vaksine-per-cdo-pacient-a-do-te-jete-kjo-e-ardhmja-e-trajtimit-te-kancerit/)
-   [Imunoterapia e kombinuar fiton terren në kancerin kolorektal metastatik MSI-H/dMMR](https://medlink.al/2026/08/24/imunoterapia-e-kombinuar-fiton-terren-ne-kancerin-kolorektal-metastatik-msi-h-dmmr/)
-   [Mbi çfarë provash po miratohen sot barnat kundër kancerit nga FDA?](/blog/mbi-cfare-provash-po-miratohen-sot-barnat-kunder-kancerit-nga-fda/)
-   [Liposarkoma e dediferencuar: Abemaciclib si nje opsion i ri i trajtimit](/blog/liposarkoma-e-dediferencuar-abemciclib-si-nje-opsion-i-ri-i-trajtimit/)
-   [Belzutifan + Pembrolizumab: FDA miraton trajtimin adjuvant për kancerin renal me qeliza të qarta](https://medlink.al/2026/06/19/belzutifan-pembrolizumab-fda-miraton-trajtim-adjuvant-per-kancerin-renal-me-qeliza-te-qarta/)

---

**Shënim i rëndësishëm.** Ky artikull ka qëllim informues dhe edukativ. Nuk zëvendëson vizitën mjekësore dhe nuk duhet përdorur për të vendosur vetë mbi një trajtim. Çdo vendim për diagnostikimin ose trajtimin kërkon një vlerësim individual nga mjeku juaj.

Burimi: https://www.kleidamati.al/blog/si-klasifikohen-nodujt-e-tiroides-ne-citologji/ — Dr. Kleida Mati, mjeke onkologe, Tiranë.
