---
title: "Temperatura gjatë kimioterapisë – Neutropenia febrile"
description: "Shumica e njerëzve nuk shqetësohen nëse kanë tëmperaturë. Shpesh ajo kalon vet ose me ndihmën e mjekimeve pa recetë si paracetamoli ose ibuprofeni. Pse temperatura duhet të merret seriozisht në personat nën trajtim me kimioterapi? Nëse temperatura shfaqet në persona që trajtohen me…"
author: "Dr. Kleida Mati"
date: 2022-11-15
updated: 2025-07-24
category: "Jeta gjatë trajtimit"
url: https://www.kleidamati.al/blog/temperatura-ethet-neutropenia-febrile-kimioterapi-kancer/
language: sq-AL
site: Dr. Kleida Mati
---

# Temperatura gjatë kimioterapisë – Neutropenia febrile

_Shumica e njerëzve nuk shqetësohen nëse kanë tëmperaturë. Shpesh ajo kalon vet ose me ndihmën e mjekimeve pa recetë si paracetamoli ose ibuprofeni. Pse temperatura duhet të merret seriozisht në personat nën trajtim me kimioterapi? Nëse temperatura shfaqet në persona që trajtohen me…_

Shumica e njerëzve nuk shqetësohen nëse kanë tëmperaturë. Shpesh ajo kalon vet ose me ndihmën e mjekimeve pa recetë si paracetamoli ose ibuprofeni.

## Pse temperatura duhet të merret seriozisht në personat nën trajtim me kimioterapi?

Nëse temperatura shfaqet në persona që trajtohen me kimioterapi mund të jetë një simptomë serioze. Në këto raste duhet konsultuar gjithmonë me onkologun.

Gjatë trajtimit të kancerit me kimioterapi, sistemi imunitar mund të dobësohet, çka e bën trupin më të prekshëm nga infeksionet. Për këtë arsye është e rëndësishme të jeni të vëmendshëm ndaj shenjave të një infeksioni, si temperatura, ethet, dhimbje barku dhe kolla.

## Çfarë është neutropenia febrile?

Kimioterapia mund të shkaktojë rënie të rruazave të bardha të gjakut, ose neutropeni. Kjo gjendje e bën trupin të mos jetë i aftë të luftojë infeksionet.

Ethja neutropenike ose neutropenia febrile është një gjendje në të cilën kemi rënie të numrit të neutrofileve, të shoqëruar me temperaturë. Neutrofilet janë pjesë e rruazave të bardha të gjakut, të cilat ndihmojnë në eliminimin e infeksioneve.

Sipas [Shoqatës Amerikane të Sëmundjeve Infektive](https://academic.oup.com/cid/article/52/4/e56/382256?login=false), kur numri absolut i neutrofileve (ANC) është më pak se 1500 qeliza/mm3 kemi të bëjmë me një neutropeni. Risku për infeksion dhe neutropeni febrile rritet me uljen e numrit të neutrofileve.

Neutropenia febrile shfaqet në rreth 5-25% të pacientëve nën trajtim me kimioterapi. Sa më agresive të jetë skema e trajtimit, aq më e lartë mundësia për zhvillim të këtij [efekti anësor](/blog/efektet-anesore-nga-kimioterapia/).

## Si trajtohen ethet neutropenike?

Nëse paraqiteni në urgjencë për shkak të temperaturës dhe etheve, duhet të tregoni për diagnozën tuaj dhe trajtimin që jeni duke marrë. Menaxhimi i një personi nën trajtim me kimioterapi ndryshon nga menaxhimi i temperaturës në kushte të tjera. Si çdo [efekt anësor nga kimioterapia](/blog/efektet-anesore-nga-kimioterapia/), edhe neutropenia febrile klasifikohet sipas gradës së simptomave. Në varësi të gradës dhe riskut sipas [MASCC](https://www.mdcalc.com/calc/3913/mascc-risk-index-febrile-neutropenia), përcaktohet edhe trajtimi.

## Si parandalohet neutropenia febrile?

Neutropenia febrile mund të parandalohet në disa mënyra. Së pari, është vet pacienti që duhet të bëjë kujdes me ruajtjen e higjienës, pastrimin dhe gatimin siç duhet të ushqimeve dhe shmangien e kontaktit me persona me infeksion aktiv.

Në disa skema kimioterapie me risk të lartë për neutropeni, mund të aplikohen [faktorët stimulues të granulociteve](https://medlink.al/2022/11/17/filgrastim-neupogen/) ([Filgrastim](https://medlink.al/2022/11/17/filgrastim-neupogen/), Pegfilgrastim, etj.) të cilat stimulojnë rritjen e neutrofileve.

Përdorimi profilaktik i antibiotikëve, antifungalëve dhe antiviralëve mund të kryhet gjithashtu në disa pacientë të cilët i nënshtrohen trajtimeve që dobësojnë ndjeshën sistemin imunitar, si në personat nën trajtim për [limfoma](/blog/cfare-jane-limfomat/) dhe leuçemi.

---

**Shënim i rëndësishëm.** Ky artikull ka qëllim informues dhe edukativ. Nuk zëvendëson vizitën mjekësore dhe nuk duhet përdorur për të vendosur vetë mbi një trajtim. Çdo vendim për diagnostikimin ose trajtimin kërkon një vlerësim individual nga mjeku juaj.

Burimi: https://www.kleidamati.al/blog/temperatura-ethet-neutropenia-febrile-kimioterapi-kancer/ — Dr. Kleida Mati, mjeke onkologe, Tiranë.
