Ekspozimi ndaj antibiotikëve i lidhur me mbijetesë më të ulët në pacientët e trajtuar me imunoterapi

Në një studim të madh në nivel popullate, ekspozimi ndaj antibiotikëve, specifikisht ndaj fluorokinoloneve para trajtimit me imunoterapi – inhibitorë të checkpoint (ICI) është lidhur me mbijetesë të përgjithshme (OS) më të ulët, duke rritur mortalitetin me deri në 65%. Ky korrelacion…

Rishikuar mjekësisht · Rishikuar nga Dr. Kleida Mati

Në një studim të madh në nivel popullate, ekspozimi ndaj antibiotikëve, specifikisht ndaj fluorokinoloneve para trajtimit me imunoterapi – inhibitorë të checkpoint (ICI) është lidhur me mbijetesë të përgjithshme (OS) më të ulët, duke rritur mortalitetin me deri në 65%.

Ky korrelacion është parë ndër pacientët që kanë marrë trajtim me barna anti-PD1 për trajtimin e kancerit të mushkërisë dhe melanomës. Gjetjet janë publikuar në Shkurt 2023 në Journal of Clinical Oncology.

Studimet preklinike kanë treguar se diversiteti i florës bakterialë në traktin digjestiv mund të ndikojë në mënyrë të drejtëpërdrejtë në efikasitetin e ICI dhe në efektet anësore nga trajtimi me imunoterapi.

Studime të tjera, përfshirë dy rishikime sistematike të literaturës dhe meta-analiza, kanë treguar se ekspozimi ndaj antibiotikëve mund të ndikojë negativisht efektin nga trajtimi me ICI.

Qëllimi i këtij studimi retrospektiv ishte vlerësimi i lidhjes së përdorimit të mëparshëm të antibiotikëve me mbijetesën e përgjithshme (OS) në pacientët e trajtuar me ICI.

Pacientët e përfshirë në studim dhe rezultatet

Pacientët e përfshirë në studim ishin pacientët me kancer, të moshës >65 vjeç, që kanë filluar trajtim me ICI nga Qershori 2012 deri në Tetor 2018 në Ontario, Kanada. Nga 2,737 pacientë me kancer që janë trajtuar me ICI, 59% kanë marrë trajtim me antibiotik brenda 1 viti nga fillimi i trajtimit me ICI dhe 19% janë trajtuar me antibiotikë 60  ditë para fillimit të trajtimit me ICI.

Ekspozimi ndaj antibiotikëve brenda 1 viti nga fillimi i trajtimit me ICI lidhej me OS më të ulët (aHR 1.12; 95% [CI] 1.12 to 1.23; p = 0.03). Na analizën e klasës së antibiotikëve, ekspozimi ndaj flurokinoloneve brenda 1 viti (aHR 1.26, 95% CI 1.13 to 1.40; p < 0.001) ose 60 ditë (aHR 1.20, 95% CI 0.99 to 1.45; p = 0.06) nga fillimi i trajtimit me ICI ishte i lidhur me OS më të ulët.

Konkluzioni i studimit

Rezultatet e studimit sugjerojnë se klinicistët duhet të konsiderojnë ekspozimin ndaj antibiotikëve brenda një viti nga fillimi i trajtimit me ICI. Më shumë të dhëna janë të nevojshme për të eksploruar më tej lidhjen e përdorimit të antibiotikëve me efektin e ICI.

Shënim i rëndësishëmKy artikull ka qëllim informues dhe edukativ. Nuk zëvendëson vizitën mjekësore dhe nuk duhet përdorur për të vendosur vetë mbi një trajtim. Çdo vendim për diagnostikimin ose trajtimin kërkon një vlerësim individual nga mjeku juaj.