Standardi i ri i trajtimit për kancerin kolorektal metastatik

Trajtimi me kombinimin bevacizumab dhe trifluridine/tipiracil (Lonsurf) ka treguar përmirësim në mbijetesë për pacientët me kancer kolorektal

Rishikuar mjekësisht · Rishikuar nga Dr. Kleida Mati

Trajtimi me kombinimin bevacizumab dhe trifluridine/tipiracil (Lonsurf) ka treguar përmirësim në mbijetesë për pacientët me kancer kolorektal metastatik refraktar. Mbijetesa mesatare (OS) është rritur nga 7.5 muaj në 10.8 muaj, ndërsa mbijetasa e lirë nga progresi (PFS) është rritur nga 2.5 në 5.6 muaj. Shtimi i bevacizumabit në trajtim nuk ka treguar të rrisë toksicitetin.

Të dhënat vijnë nga studimi i fazës së tretë SUNLIGHT dhe janë prezantuar në simpoziumin e ASCO mbi kancerin gastrointestinal.

Kombinimi i Lonsurf me bevacizumab përbën tashmë standardin e ri të trajtimit për pacientët me kancer kolorektal metastatik që kanë kaluar dy linja kimioterapie.

Efekti i Lonsurf është konfirmuar edhe në studime të tjera të fazës 3, si ai i RESOURCE, ndërsa kombinimi i Lonsurf me Bevacizumab ka treguar të jetë efikas dhe i sigurt në shumë studime të fazës II.

Në studmin SUNLIGHT u përfshinë 494 pacientë, të moshës mesatare 62-64. Në manyrë rastësore, pacientët u ndanë në grupin që do të trajtohej vetëm me Lonsurf dhe në grupin që do të trajtohej me kombinimin Lonsurf dhe bevacizumab. Rreth 70% e pacientëve kishin prezent mutacionin RAS dhe 72% kishin marrë më parë terapi me bevacizumab.

Analiza primare e të dhënave tregoi një avantazh në mbijetesë për terapinë e kombinuar Lonsurf me bevacizumab në muajin e 6 (77% vs 61%) dhe në muajin e 12 (43% vs 30%).

Për sa i përket efekteve anësore, të dy grupet shfaqën efekte të ngjashme, përveç hipertensionit, nauzesë dhe neutropenisë të cilat u shfaqën më shpesh në grupin e trajtuar me kombinimin Lonsurf dhe bevacizumab.

Shënim i rëndësishëmKy artikull ka qëllim informues dhe edukativ. Nuk zëvendëson vizitën mjekësore dhe nuk duhet përdorur për të vendosur vetë mbi një trajtim. Çdo vendim për diagnostikimin ose trajtimin kërkon një vlerësim individual nga mjeku juaj.