Sacituzumab Govitecan dhe Pembrolizumab: Një linjë e re trajtimi për kancerin e gjirit TNBC metastatik

Një studim i ri tregon se kombinimi i Sacituzumab govitecan me Pembrolizumab përmirëson mbijetesën te pacientet me kancer të gjirit triple-negativ metastatik, duke ofruar një alternativë premtuese në trajtim.

Rishikuar mjekësisht · Rishikuar nga Dr. Kleida Mati

Një studim i ri, i publikuar në The New England Journal of Medicine, sjell një lajm shumë të rëndësishëm për trajtimin e kancerit të gjirit triple-negativ metastatik (mTNBC). Për herë të parë, kombinimi i Sacituzumab govitecan me Pembrolizumab ka treguar se mund të përmirësojë ndjeshëm mbijetesën e lirë nga progresi (PFS) te pacientet e pa trajtuar më parë.

Në studimin e fazës 3 ASCENT-04/KEYNOTE-D19, ky kombinim rezultoi më efektiv se kimioterapia standarde e shoqëruar me pembrolizumab. Konkretisht, u vu re një ulje prej 35% e rrezikut të progresit të sëmundjes ose vdekjes, duke e bërë këtë qasje një alternativë shumë premtuese për trajtimin e linjës së parë te pacientet me mTNBC PD-L1 pozitiv.

Kanceri i gjirit triple-negativ është një nga format më agresive të kësaj sëmundjeje dhe deri më sot, opsionet e trajtimit kanë qenë të kufizuara kryesisht në kimioterapi dhe imunoterapi. Ky studim testoi një ide të re: zëvendësimin e kimioterapisë klasike me sacituzumab govitecan, një antitrup i lidhur me barna (ADC) që vepron në mënyrë më të targetuar ndaj qelizave tumorale përmes receptorit TROP-2. Rezultatet tregojnë se kjo strategji mund të forcojë efektin e imunoterapisë te pacientet me shprehje të PD-L1 (CPS ≥10), duke hapur rrugën për një ndryshim në mënyrën si trajtohet mTNBC.


Rezultatet e efikasitetit

Nga 443 paciente të përfshira në studim, ato që morën sacituzumab govitecan plus pembrolizumab (n = 221) arritën një PFS mediane prej 11.2 muajsh (95% CI, 9.3–16.7), krahasuar me 7.8 muaj (95% CI, 7.3–9.3) te grupi që mori pembrolizumab plus kimioterapi (n = 222).

Edhe objektivat sekondare favorizuan kombinimin ADC–imunoterapi:

  • Përgjigjja objektive nga trajtimi (ORR): 60% vs 53%
  • Përgjigje e plotë nga trajtimi (CR): 13% vs 8%
  • Kohëzgjatja mesatare e përgjigjes nga trajtimi (DOR): 16.5 muaj vs 9.2 muaj

Të dhënat për mbijetesën e përgjitshme (OS) janë ende të maturuara, por nga të dhënat e deritanishme vihet re një trend i hershëm pozitiv, për mbijetesë më të gjatë në pacientët e trajtuar me kombinimin ADC + imunoterapi (HR 0.89; 95% CI, 0.62–1.29).


Siguria dhe efektet anësore

Profili i sigurisë i sacituzumab govitecan plus pembrolizumab ishte në përputhje me profilin e njohur të secilit medakement veçmas. Efektet anësore të gradës ≥3 u raportuan në 71% të pacienteve në grupin eksperimental dhe 70% në grupin e terapisë standarde.

Efektet anësore më të shpeshta të gradës ≥3:

  • Neutropeni (43%) dhe diarre (10%) me sacituzumab govitecan
  • Neutropeni (45%), anemi (16%) dhe trombocitopeni (14%) në krahun me kimioterapi

Me rëndësi klinike, kombinimi me sacituzumab govitecan u shoqërua me:

  • më pak ndërprerje trajtimi për shkak të toksicitetit (35% vs 44%)
  • më pak ulje dozash (12% vs 31%)

Konteksti i studimit dhe implikimet klinike

Studimi ASCENT-04/KEYNOTE-D19 përfaqëson studimin e parë të fazës 3 që mbështet përdorimin e një ADC në linjën e parë metastatike për TNBC. Aktualisht, standardi i kujdesit për mTNBC PD-L1 pozitiv përfshin pembrolizumab në kombinim me taksane ose gemcitabinë/carboplatin, bazuar në studimin KEYNOTE-355.

Të dhënat e reja sugjerojnë se zëvendësimi i kimioterapisë tradicionale me sacituzumab govitecan mund të ofrojë një përfitim biologjik më të madh. Dërgimi i drejtpërdrejtë i ngarkesës citotoksike SN-38 brenda qelizës tumorale përmes lidhjes me antitrupin anti-TROP-2 duket se krijon një sinergji më efektive me bllokadën e PD-1, krahasuar me barnat citotoksike konvencionale.

Shënim i rëndësishëmKy artikull ka qëllim informues dhe edukativ. Nuk zëvendëson vizitën mjekësore dhe nuk duhet përdorur për të vendosur vetë mbi një trajtim. Çdo vendim për diagnostikimin ose trajtimin kërkon një vlerësim individual nga mjeku juaj.